Lewandowski e paralajmëron Dortmundin: Ne e kemi Coutinhon e çmendur

Robert Lewandowski beson se Bayern Munich është në përparësi ndaj Borussia Dortmund në garë për titull në Bundesligë, duke pohuar se skuadra e tij zotëron më shumë cilësi sesa ajo rivale, veçanërisht pas transferimit të Philippe Coutinhos.

Në të kaluarën, sulmuesi 31-vjeçari e shprehu publikisht pakënaqësinë me dështimin e Bayernit për ta sjellë cilësi në sulm pas largimit të Arjen Robben dhe Franck Ribery.

Dortmund, ndërkohë, ka pasur një verë të ngjeshur dhe efikase duke i blerë Thorgan Hazard, Julian Brandt dhe Nico Schulz, derisa e ktheu në klub edhe Mats Hummels.

Por, Lewandowski tani duket i kënaqur me punën e Bayernit në tregun e transferimeve, pas ardhjes së Coutinhos dhe Ivan Perisicit, të cilët beson se i kanë sjellë cilësi skuadrës.

“Dortmund bëri shumë (në afatin kalimtar veror), dhe tani ka një skuadër të madhe. Ama, në fund nuk vlen sasia por cilësia. Dhe në këtë pikëpamje, unë e kam të qartë se ne kemi lojtarë më cilësorë”, tha sulmuesi polak.

“Pasimi i fundit i Coutinhos është i çmendur. Ai mund të jetë çelësi në ndeshje të rëndësishme, veçanërisht në Ligën e Kampionëve. Ai mund të na japë diçka të veçantë. Na bën më të paparashikueshëm”, shtoi ai.

loading…