Lëvizja për Bashkim s’merr pjesë në zgjedhje, arsye qëndrimet e partive kundër ndryshimit të kufijve

Lëvizja për Bashkim ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në një njoftim për media, kjo parti ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë duke konsideruar se është e vetmja parti pro ndryshimit të kufijve me Serbinë dhe se si e tillë s’mund të bashkëpunojë me partitë tjera.

Sipas LB-së, në Kosovë janë dy alternativa në këtë kohë, njëra që përbëhet nga partitë që janë pro Asociacionit dhe tjetra alternativë për ndryshim kufijsh. Lëvizja për Bashkim është shprehur se ato parti që e shohin Asociacionin e Komunave me shumicë serbe janë të konsoliduara, ndërsa në krahun tjetër e vetme është LB-ja.

“Kosova më 14 shkurt do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës. Këto zgjedhje po mbahen në një situatë kur është qartësuar plotësisht që, sa i përket çështjes kryesore politike me të cilën përballemi aktualisht: bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Kosovë ekzistojnë dy alternativa. Njëra alternativë sot përbëhet nga ata që janë për status-quo apo për ‘zgjidhje’ përmes ‘Asociacionit’, e që do të rezultonte me Kosovën shtet plotësisht jofunksional; ndërsa alternativa tjetër është për ripërcaktim të kufijve në bazë të përkatësisë kombëtare të popullatës në zonat kufitare, e që do të rezultonte me vendosje të plotë të sovranitetit të Kosovës. Të gjitha partitë që përfaqësojnë alternativën e parë, sot mund të thuhet se janë të konsoliduara në një bllok politik populist që, të shtyra nga mungesa e vizionit dhe e guximit politik apo nga qëllime elektorale, kanë punuar pareshtur në ndërtimin e një mashtrimi të madh para qytetarëve, sipas të cilit ideja e ndryshimit të kufijve është e rrezikshme dhe e dëmshme. Kontribut të madh në ndërtimin e këtij koncepti kanë dhënë edhe disa nga faktorët kryesorë ndërkombëtarë, të cilët për një dekadë e kanë mbështetur pa rezervë atë. Madhësia e këtij mashtrimi e ka pushtuar dhe e ka ngushtuar jashtëzakonisht shumë hapësirën garuese për subjektin e vetëm me ide të tillë, – Lëvizjen për Bashkim. Prandaj kësaj radhe, fatkeqësisht, pjesë e zgjedhjeve do të jenë vetëm partitë që nuk kanë zgjidhje për problemin kryesor të vendit”, thuhet në njoftim.

LB-ja ka përsëritur qëndrimin e saj se ripërcaktimi i kufijve është jetik për funksionalizimin e shtetit.

“Duke e pasur parasysh këtë dallim të thellë konceptual me krejt bllokun tjetër politik, Lëvizja për Bashkim, në këtë moment kritik nëpër të cilin po kalon Kosova, përkundër ofertave që ka pasur, e sheh të paarsyeshme që të jetë në koalicion me parti të cilat i takojnë bllokut që bisedimet me Serbinë dhe zgjidhjet e mundshme i shohin vetëm përmes syrit populist dhe rezultatit elektoral. Bllokut që me kokëfortësi po e mbanë peng zgjidhjen e problemit më madhor që ka sot Kosova. Për këtë qëllim, Lëvizja për Bashkim konsideron se është moment shumë i rëndësishëm që kësaj alternative politike, e vetmja që ofron zgjidhje, t’i bashkohen sa më parë të gjithë ata që besojnë në të dhe kështu këtë alternativë ta shndërrojnë në një bllok politik që do ta nxirrte Kosovën nga gjendja e rëndë e status-quos në të cilën është sot dhe do t’i parandalonte zgjidhjet e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët që mund të vijnë nesër”, thuhet në reagim.