Levada Center: Me shume se gjysma e rusëve nuk duan te vaksinohen me vaksinën ruse “Sputnik V”

Nga rezultatet e dala nga hulumtimi i kryer nga “Levada Center”, në lidhje me vaksinën ruse kundër COVID-19, tek banorët në Rusi vërehet mosbesim i madh. Nga hulumtimi del se 58% e rusëve nuk janë të gatshëm të vaksinohen me vaksinën ruse “Sputnik V”, ndërsa pro vaksinimit janë vetëm 38% e të anketuarve.

Ky mosbesim kaq i madh në vaksinën ruse, ka të bëjë me mënyrën se si ishte lajmëruar me pompozitet se Rusia e para ka zbuluar vaksinën, çka ishte pasuar me licencimin e menjëhershëm të vaksinës, pa i kaluar të gjitha fazat e parapara të testimit, mbi efektet anësore të vaksinës. Shumica e të anketuarve do të dëshironin të pritnin deri në fund të të gjitha fazave të testimit të vaksinës dhe pastaj të vendosnin se a do të vaksinohen. Në Rusi nuk ka mundësi të përzgjedhjes në mes të vaksinës ruse dhe dy vaksinave perëndimore, te licencuara deri me tani.

Në opinion ka filluar të qarkulloj edhe ideja se mos besimi kaq i madh në vaksinën ruse, ka të bëjë edhe me mos vaksinimin deri me tani të presidentit Putin dhe anëtarëve të lartë të Kremlinit.

Ne lidhje me këtë është prononcuar edhe zëdhënësi i presidencës ruse, Dimitry Peskov, i cili thotë se, “nuk sheh asnjë lidhje në mes të mos besimit kaq të madh tek popullata me mos vaksinimin e presidentit Putin”.

Pas kësaj në mediat ruse kanë filluar të qarkulloj lajmi se pritet vaksinimi i presidentit Putin, lajm i cili është përcjell me dyshime, duke thënë se Putin nuk do të vaksinohet me vaksinën “Sputnik V” dhe e gjitha do të jetë vetëm një shfaqje mediatike, për rritur besueshmërinë e rusëve tek vaksina Sputnik V.

Nuk është hera e parë që në Rusi nuk tentohet të dezinformohet opinioni në lidhje me vaksinën “Sputnik V”, në muajin gusht, në mediat ruse kishte qarkulluar një lajm ku thuhet që po vaksinohet vajza e Putin, lajm i cili më vonë doli se ishte i rremë.