DASH

Letra e 56 parlamentarëve për Blinken, Borrell e Cleverly, DASh: Nuk komentojmë korrespondencën diplomatike

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kryediplomati i BE-së Josep Borrell dhe Sekretarin i Jashtëm britani James Cleverly pranuan një letër të nënshkruar nga 56 parlamentarë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara me kërkesën që të kenë qasje më të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë. Letra e tyre vjen si reagim pas masave ndëshkuese që iu vendosen Qeverisë së Kosovës nga SHBA dhe BE për tensionet e fundit në veri, por të cilat nuk u implementuan edhe ndaj Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe konfirmuan më herët se kanë pranuar letrën nga parlamentarët. Derisa nga SHBA, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se nuk i komentojnë këto komunikime.

“Në përgjithësi, ne nuk komentojmë korrespondencën diplomatike”, thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Express.

Përgjigje të ngjashme dha edhe Bashkimi Evropian.

“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë në publik korrespondencën e marrë nga Përfaqësuesi i Lartë nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse aktorët përkatës i shkruajnë Përfaqësuesit të Lartë, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse, ne nuk bëjmë korrespondencë në media. Këtë letër të veçantë nga 56 deputetë nga disa shtete anëtare të BE-së dhe disa vende të tjera, mund të konfirmojmë se Përfaqësuesi i Lartë sapo e ka marrë”, ka thënë për Express më herët zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sidoqoftë, Stano pati një përgjigje ‘fillestare’ për ta.

“Kujtojmë se BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë”, tha ai në përgjigje, derisa shtoi se politika e jashtme dhe qasjet e BE-së ndaj partnerëve janë formuar nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre, në unanimitet.

Po ashtu, edhe Britania e Madhe tha se kanë pranuar letrën dhe se do t’i përgjigjen në kohën e duhur deputetëve.

Një zëdhënës nga Zyra për Politikë të Jashtme britanike ka thënë për Gazetën Express se politika e tyre ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor është krijimi i një rajoni të sigurt dhe se për këtë janë duke punuar.

Dje përmes një letre drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, 56 parlamentarë shprehën kërkesën e tyre që për një balancim të politikës së këtyre tri fuqive ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letër.

Ata u ankuan se qasja aktuale nuk po funksionon, derisa kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe “të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi”.

“Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha në letër”.

Një nga nënshkruesit e kësaj letre, deputetja britanike Alicia Kearns, herë pas herë e ka shtruar këtë temë edhe në Parlamentin britanik.

Ajo shpërndau këtë letër, duke thënë se “kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku të sigurohemi që të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës”.