Leku vijon të forcohet, i afrohet 100 lekëve për euro

Leku ka vijuar të forcohet kundrejt monedhës së përbashkët evropiane, duke iu afruar 100 lekëve për euro.

Mëngjesin e 24 korrikut, kursi i këmbimit për euron shënoi 101,07 lekë, sipas Bankës së Shqipërisë.

Ka spekulime se leku do të rritet mbi 100 lekë për euro gjatë pikut të sezonit turistik veror.

Sakaq, rritja e vlerës së lekut i është atribuuar disa faktorëve, përfshirë sasinë e madhe të valutës në treg, si rezultat i rritjes së të ardhurave nga turizmi dhe rritjes së remitancave.

 Gjatë sezonit veror, Shqipëria është një destinacion popullor turistik, me ardhje të përqendruara gjatë muajve të pikut të korrikut dhe gushtit.

Pas një vere rekord në vitin 2022, kur sektori u rikthye nga kufizimet e pandemisë, një tjetër performancë e fortë pritet këtë vit.

Anke Weber, shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, ka thënë në qershor se tendenca e lekut është në përputhje me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në bilancet e jashtme të ekonomisë shqiptare, shkruan AP.

Leku ka thyer vazhdimisht rekorde të reja kundrejt euros, pasi u forcua në fund të vitit 2022.

Banka e Shqipërisë e ka komentuar ndërkaq rritjen e lekut, duke thënë se rritja e kursit të këmbimit ndaj euros është një “reflektim i rritjes së ofertës së monedhës në tregun e brendshëm financiar”.

Referuar bankës, kjo është diktuar nga përmirësimi i bilancit të pagesave si rezultat i flukseve të larta valutore, të cilat vlerësohet të jenë prezente edhe në muajt e parë të këtij viti.

“Ecuria e lekut mbështetet edhe nga zgjerimi i diferencës pozitive midis normës së kthimit të fondeve në lekë dhe asaj në euro në tregun vendas”, thuhet në njoftimin e bankës.

Sakaq, leku i fortë i ka bërë importet më të përballueshme, gjë që ka ndihmuar në mbajtjen e niveleve të inflacionit relativisht të ulëta në një kohë kur inflacioni është rritur në të gjithë Evropën.

Po ashtu ka ndikuar në madhësinë e emetimit të fundit të eurobondit të Shqipërisë.

Tirana emetoi eurobondin e saj të gjashtë më 6 qershor, me kërkesë të lartë. Emetimi ka një maturim pesë-vjeçar dhe një principal total prej 600 milionë euro.

Obligacioni ishte 20% më i madh se emetimi i planifikuar fillimisht prej 500 milionë eurosh, për të cilin ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka thënë se ishte për shkak të situatës së likuiditetit, pasi leku u forcua ndjeshëm ndaj euros.

Megjithatë, forca e lekut po shkakton vështirësi për bizneset e orientuara drejt eksportit në vend.

Në qershor, Qeveria ka njoftuar se vendosi të zgjasë afatin që eksportuesit të paguajnë tatimin mbi të ardhurat për t’i ndihmuar ata të përballojnë vlerën e lartë të lekut.