Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se opozita nuk e ka serioze iniciativën për rrëzimin e Qeverisë, pasi sipas tij nuk i kanë numrat në Kuvend.
Lekaj në RTV Dukagjini, ka thënë se mospajtimet mes partnerëve të koalicionit qeverisës vetëm sa do ta ndikojnë pozitivisht në qeverisjen e vendit.
“Kur jemi te opozita, ju e dini që prej ditës së parë ne kemi qenë të rrëzuar. Iniciativat e tyre nuk i shoh serioze, sepse sikur të kishin votat ne nuk do të ishim në qeveri… Nuk i kanë as 50 vota e lëre më tjerat”, tha ai.
Nënkryetari i AAK-së thotë se qysh moti ka paralajmëruar se nuk do të ketë rrëzim të Qeverisë.
“Po e them prapë se nuk ka zgjedhje këtë vit. Me votat që ka opozita ne mund të qëndrojmë në qeveri edhe dhjetë vite. Nuk e kanë serioze iniciativën [për rrëzimin e Qeverisë]”.
Lekaj ka shtuar më tej se “është normale që opozita të kërkojë mocion dhe në momentin që ata kanë votat, ne s’kemi çka…është kushtetuese”.







