Pal Lekaj

Lekaj: Kushtet e Kurtit janë për fushatë elektorale dhe lojë politike

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë për Ekonomia Online se kushtet e kryeministrit Albin Kurti në tavolinën e Serbisë janë për fushatë elektorale dhe lojë politike.

Lekaj ka thënë se Kurti dëshiron t’i ikë përmbylljes së dialogut, andaj, këmbëngul në dorëheqjen e tij.

“Nga ajo që për mua është shqetësuese nuk kemi përparim të dialogut kemi zhvatje, dhe kërkesat më tepër janë lojë politike për t’i ikur kryesores që është me rëndësi përmbyllja e dialogut, andaj më tepër e ka pas të fitoj kohë dhe vendim elektoral. Grupi Parlamentar i AAK e ka bërë të qartë që kërkojmë dorëheqjen së pari të Kurtit, e pastaj të shkohet në shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAK-së, ka folur edhe për shpenzimet e qeveritarëve, për të cilat ka thënë se sa ishin në opozitë, kanë premtuar ulje të shpenzimet por që sipas tij po e bën të kundërtën. Ndërkaq, ka thënë se e vetmja gjë që do mbahet mend kjo qeverisje është politizimi i bordeve.  

“Sa i përket shpenzimit dihet që kjo qeveri është zotuar se do t’i ulë shpenzimet e kostos së luksit. E kemi parë që ka keqpërdorime te tenderëve, buxhetit, po i shoh edhe në ndërmarrjet publike por edhe tjera që Zyra Kombëtare Auditimit i ka dhënë notë të dobët, nuk ka përmirësime, ka keqpërdorim të financave dhe mendoj që kjo qeveri do mbahen mend për gjithë politizim e bordeve dhe duhet sa më parë që kjo qeveri të shkoj në shtëpi”, ka thënë Lekaj, teksa ka përmendur edhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Ju e dini që me veprimet e qeverisë së Kosovës ne kemi hyrë edhe në sanksione, janë diku 300 milionë euro që presin dhe është dëmtuar qytetari i Kosovës për politika të gabuara, ka moskoordinim dhe për herë ta parë kemi sanksione nga ata që na kanë ndihmuar dhe bashkërisht e kemi ndërtuar shtetin. Keni të drejtë kur thoni, nëse këta janë zotuar që do i ikin luksit dhe kërkojnë blerjen e veturave prej 150 mijë eurove plus kuvendi edhe Zyra e Komisioneres së FSK, mendoj që janë absurde dhe kjo qeveri po shihet që ka ardh me mashtrime dhe po bën mashtrime të përditshme”, ka thënë Lekaj.