Legjenda Stoichkov në lot pas sjelljeve raciste të tifozëve bullgarë ndaj Anglisë

Legjenda bullgare e futbollit, Hristo Stoichkov, ka shpërthyer në lot gjatë përgjigjes për abuzimin racist të tifozëve bullgarë ndaj futbollistëve anglezë në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2020” të hënën në mbrëmje në Sofje.

Anglia fitoi 0 me 6 atë ndeshje të Grupit A kualifikues, por takimi mbeti nën hijen e incidenteve të shumta të abuzimit racist nga tifozët vendas.

Gjyqtari e ndërpreu lojën dy herë pas përshëndetjeve naziste dhe zhurmave si majmunë që ishin në drejtim të futbollistëve anglezë nga tifozët bullgarë në tribuna.

Stoichkov, që konsiderohet si futbollisti më i madh në histori të Bullgarisë dhe e udhëhoqi kombëtaren për tre vjet, ishte i angazhuar si analist sportiv në televizionin meksikan “TUDN” gjatë kësaj ndeshjeje.

I pyetur për të komentuar ngjarjet lidhur me kombëtaren e tij, Stoichkov uli kokën dhe nisi të qante. I pyetur për dënimin që duhet të jetë ndaj tifozëve bullgarë, ai ka thënë se “fansat e tillë nuk duhet të lejohen në stadium apo të ketë edhe dënime më të rënda”.

“Sikur në Angli për shumë vjet. Pesë vjet jashtë stadiumeve. Njerëzit nuk e meritojnë të vuajnë”, ka thënë ndër tjerash ai.

https://www.instagram.com/p/B3pydzClp0j/