LeBron James shkëlqeu në fitoren e LA Lakersit

LeBron James shënoi 28 pikë dhe Los Angeles Lakers fitoi ndaj Chicago Bullsit.

Kampioni në fuqi i ligës NBA, Lakers, që luajti pa të lënduarin Anthony Davis, fitoi 117:115. James në këtë fitore kontribuoi edhe me shtatë kërcime e shtatë asistime.

Te skuadra e Chicago Bullsit, më i dalluari mbi parket ishte Zach LaVine me 38 pikë në total, 19 prej të cilave i realizoi në çerekun e parë. Sidoqoftë, ishin të pamjaftueshme për ta shmangur humbjen.

Ndërkohë, Stephen Curry me 38 pikë ishte më i miri te skuadra e Golden State Warriors që mposhti Los Angeles Clippersin, 115:105.

“Luftëtarët” shënuan plot 20 herë nga vija për tri pikë dhe e përmbysën rezultatin pasi ishin në 22 pikë disavantazh. Për Golden Staten ishte fitorja e pestë në shtatë ndeshje.

Boston Celtics fitoi për herën e gjashtë në shtatë duele. Mposhti Washington Wizardsin 116:107.

Jayson Tatum realizoi 32 pikë, ndërsa Jaylen Brown shtoi 27 pikë të tjera, për ta lënë Wizardsin në fundin e tabelës në Konferencën e Lindjes, me vetëm dy fitore në fillim të kampionatit.

Vendi i parafundit, Detroit Pistons, fitoi 110:105 ndaj vendit të dytë në Konferencën e Perëndimit, Phoenix Suns, ndërsa Toronto Raptors po ashtu triumfoi 144:123 përballë Sacramento Kings.

Zion Williamson realizoi 26 pikë, por nuk arriti ta shmangë humbjen e New Orleans Pelicans nga Charlotte Hornets, 118:110.

Gjashtë basketbollistë të Hornetsit shënuan pikë dyshifrore, ndërsa Pelicans u mposht për herën e tretë rresht në katër ndeshje në shtëpi.

Memphis Grizzlies e mbylli serinë negative të pesë ndeshjeve me humbje. Fitoi 115:110 kundër Brooklyn Nets.

James Harden dhe Christian Wood regjistruan dyshifror të dyfishtë në fitoren e Houston Rockets kundër Orlando Magic, 132:90.

Utah Jazz regjistroi rekord në ligë me 25 trepikësha të shënuar në fitoren 131:118 kundër Milwaukee Bucks.

Ndërkohë, Hamidou Diallo realizoi 23 pikë në fitoren e Oklahoma City Thunder kundër New York Knicks, 101:89.