Visar Azemi

LDK: Qeveria po bën “masakër financiare”, bizneseve po iu jep tenderë veç me muhabete

Koordinatori i departamentit të energjisë në LDK, Visar Azemi, thotë se Qeveria e Kosovës për tri vite ka dhënë mbi 780 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë te njerëzit e afërm të VV-së.

Azemi tha se vlera e tenderëve që iu janë dhënë bizneseve pa procedura shkon deri në 209 milionë euro.

“Për tri vite pushteti i dha plot 781 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, vlera e të cilëve është plot 209 milionë euro. Pra, kanë thirr biznese të cilat i kanë dashur vetë pa asnjë procedurë konkurruese-tenderuese iu kanë dhënë tenderë dhe kontrata. Është interesante se ndër vite ka shkuar duke u rritur kjo vlerë, pra duke filluar me 30 milionë euro në vitin e parë, ka ikur vlera në 70 milionë euro në vitin e dytë për të përfunduar në 109 milionë euro në vitin e tretë”, tha ai gjatë një konference për media.

Azemi deklaroi se “masakra financiare” më e madhja ka ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“‘Masakra financiare’ ka ndodhur me të madhe në KEK. Për ta kuptuar më mirë se këto kontrata njëburimore janë mekanizëm për hajni nga ky pushtet mjafton të shihni se nga 209 milionë euro që janë vjedhë në tendera rreth 100 milionë euro janë dhënë vetëm nga KEK-u, pra gjyma e tyre. Janë plot 106 kontrata njëburimore. Në ndërmarrjen e KEK-ut, 13 tenderë me negocim direkt i janë dhënë vetëm një biznesi. Një bizes tjetër i vetëm veç me muhabet pa procedurë e konkurrencë ka përfituar mbi 15 milionë euro vetëm për një tenderë”, tha ai.

Nga këta tenderë ai ka thënë se po përfitojnë emra konkretë të bizneseve, pronarë e të cilëve janë të lidhur ngushtë me partinë në pushtet.

“Në këto tenderë janë përkujdesur që të shpërblehen edhe anëtarë e aktivistë të VV-së… LDK-ja është e vetëdijshme se ky pushtet është zhytur në krim dhe hajni, kjo Qeveri po vjedh miliona përmes këtyre kontratave njëburimore. Do t’i shkojnë deri në fund kësaj, keqpërdoruesit dhe hajnat do t’i qesim para drejtësisë, aty ku është edhe Nagibi”, deklaroi Azemi.

VIDEO BONUS: