LDK publikon vetëm foto nga takimi me Grenellin, nuk jep informacion çka u bisedua

Pas takimit me kryetarin e Vetëvendosje, Albin Kurti, i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, së bashku me ambasadorin amerikan në Prishtinë Philip Kosnett kanë realizuar një takim me kreun e LDK-së Isa Mustafa.

LDK ka publikuar vetëm disa foto nga takimi me të dërguarin e SHBA-së për dialogun, por nuk ka dhënë asnjë informacion se cka u bisedua, shkruan lajmi.net.

“Pamje nga takimi i kryetarit Mustafa, i shoqëruar nga nënkryetarët Veliu dhe Osmani dhe anëtari i Kryesisë Hoti me Emisarin e Posaçëm të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadori Grenell i shoqëruar nga Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Kosnett”, thuhet në një postim të LDK-së në Facebook.

Kujtojmë, se pas takimit me Kurtin, Grenell ka thënë nuk është i interesuar të ndërhyjë në çështje të brendshme sa i përket presionit për formimin e qeverisë duke deklaruar se edhe shtetet tjera kanë pasur probleme sa i përket koalicioneve.

“I thash Kurtit se vende si Britania e Madhe, Gjermania e disa tjera kanë pasur mosmarrëveshje derisa e kanë formuar qeverinë, ne po shikojmë se çfarë do ndodhë ditët në vijim”, ka deklaruar Grenell, raporton lajmi.net.

Ai shtoi se po takohet me Kurtin dhe Mustafën vetëm për t’i inkurajuar që të krijojnë qeverinë e re.

Tutje, ai ka theksuar se SHBA-të janë të interesuara të investojnë në Kosovë, të krijojnë vende pune dhe bizneset të rriten.

“Po shikojë t’i ndihmojë njerëzit dhe ekonominë që rritet, ky ishte mesazhi ime këtu dhe të njëjtin do e jap edhe në Serbi”.

Ai ritheksoi faktin se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake duhet të hiqet, ndërsa Serbia nga ana e saj duhet të ndalojë fushatën kundër Kosovës.