LDK për faturat e energjisë: Urgjentisht të kthehen paratë e marra nga qytetarët kundërligjshëm

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar rreth vendimit të Gjykatës së Apelit, ku pezullohet vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Në një komunikatë për medie thuhet se LDK kërkon që në mënyrë urgjente të kthehen mjetet e marra nga qytetarët, siç thuhet në njoftim, në mënyrë të kundërligjshme nga pushteti dhe ZRRE.

“Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë kërkon që në mënyrë urgjente të kthehen mjetet e marra nga qytetarët në mënyrë të kundërligjshme nga pushteti dhe ZRRE. Vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila refuzoi ankesën e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë eklektike, vërtetoi edhe një herë se rritja e tarifave të energjisë ka qenë e padrejtë dhe e jashtëligjshme”, thuhet në postim.

Përveç mjeteve LDK kërkon që të kthehen edhe tarifat e vjetra të energjisë elektrike.

“Në kohën kur nga paaftësia qeverisëse, inflacioni në vend ka arritur nivelin rekord prej 11.2%, kthimi i këtyre mjeteve sa më shpejt që është e mundur është domosdoshmëri për qytetarët. Po ashtu në mënyrë urgjente kërkojmë që të kthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasiqë edhe pse kanë kaluar dy ditë nga vendimi i Gjykatës së Apelit, energjia elektrike vazhdon të llogaritet me tarifa të cilat i ka rrëzuar gjykata”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.

Me tej, thuhet se LDK-ja në vazhdimësi ka ofruar alternativa për menaxhimin e krizës në kohë.

“LDK, përveçse i ka bërë thirrje Qeverisë se rritja e tarifave të energjisë elektrike është vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, në vazhdimësi ka ofruar edhe alternativa për menaxhimin e krizës në kohë dhe bazuar në veprime adekuate”, përfundohet në reagimin e LDK-së.