Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nënshkruar sot marrëveshje parazgjedhore me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Partinë e Drejtësisë (PD), duke zgjeruar koalicionin e saj për zgjedhjet qendrore të 28 dhjetorit. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e ka cilësuar këtë bashkim si “të natyrshëm” mes forcave politike që ndajnë vlera dhe orientim të përbashkët euroatlantik.

Sipas marrëveshjes, Partia e Drejtësisë do të garojë me dy kandidatë në listën e LDK-së, ndërsa Aleanca Kosova e Re me tre kandidatë.

“Ky është një bashkim i natyrshëm mes forcave që besojnë në shtet, në ligj, në zhvillim dhe në orientimin euroatlantik të Kosovës,” ka deklaruar Abdixhiku në njoftimin e tij. Ai theksoi se LDK po ndërton “një front të përgjegjësisë”, të përkushtuar në qeverisje të mirë, rikthim të institucioneve dhe transparencë.

Abdixhiku u shpreh se kjo aleancë përputhet me qëllimet e LDK-së për të formuar një shumicë të re politike që synon nxjerrjen e vendit nga kriza dhe rikthimin e shpresës te qytetarët.

“Me PD-në dhe AKR-në ndajmë vlerat e orientimit të përhershëm pro-perëndimor; ndajmë bindjen se Kosova meriton një qeveri stabile, të urtë e me vizion; ndajmë qëllimin për ta përshpejtuar rrugën tonë drejt BE-së, NATO-s, OKB-së dhe për ta forcuar partneritetin tonë të përhershëm me SHBA-të,” ka theksuar ai.

Kryetari i LDK-së shtoi se ky bashkim është pjesë e përpjekjes më të madhe të partisë për të fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Jemi duke u bashkuar. Jemi duke u forcuar. Jemi duke e ndërtuar fitoren. Kosova ka nevojë për përgjegjësi. Kosova ka nevojë për shpresë. Kosova ka nevojë për LDK-në,” përfundoi Abdixhiku.

LDK pritet të vazhdojë bisedimet me parti të tjera për të zgjeruar frontin e saj zgjedhor përballë garës së fundvitit.