LDK kritikon qeverinë pas raportit të WJP-së, Halimi: Kosova në vendin e 57-të, dështim qeverisës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar Qeverinë  e Kosovës pas publikimit të projektit të Drejtësisë Botërore (WPJ).

Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kur i mungojnë rezultatet qeverisë për punën e tyre, atëherë si mbetet asgjë tjetër veçse të mburren me absurditete.

“Kur të mungojnë rezultatet qeverisëse, nuk të mbetet rrugë tjetër, veç të mburresh me absurditete. Dështimi të shtyn madje të tentosh ta shesësh si sukses vendin e 57-të në ‘World Justice Project’, ndërkohë që mandatin e ke marrë kur ke qenë në vendin e 54-të. Nuk ka manipulim, nuk ka ‘World Project’ që e mbulon mungesën e projekteve madhore”, ka thënë Halimi.

Siç u shpreh Halimi, vendi i 57-të këtë vit është dështim, pasi siç tha ajo në vitin 2020, Kosova ishte në vendin e 54-të.

“Pra, si përfundim, nuk ka propagandë që e mbulon punën dhe angazhimin e vërtetë në qeverisje. Histeri partiake për sukses. Propaganda s’duket ndryshe”, ka shkruar ndër të tjera Halimi në Facebook.

Ndryshe, kryeministri i vendit Albin Kurti të mërkurën kishte thënë se Projekti i Drejtësisë Botërore, këtë vit ka renditur Kosovën në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit.