LDK kërkon votë në Podujevë te personi që kishte sulmuar me vezë ish-kryeministrin Mustafa VIDEO

LDK dhe VV këtë të diele përballen në Podujevë për të parin e komunës, ku në garë janë Nexhmi Rudari dhe Shpejtim Bulliqi. Gara e ngushtë dhe nevoja për secilën votë ka bërë që si partnerë të shihen edhe ata që dikur sulmonin edhe fizikisht kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atëherë kryeministër.

Kandidati i LDK-së për kryetar Nexhmi Rudari, bashkë me ministrin e Bujqësisë Besian Mustafa, dje kanë vizituar Blerim Maqestenën, i cili para pesë viteve kishte sulmuar me vezë Isa Mustafën, kur ky në cilësinë e kryeministrit po vizitonte Podujevën.

Maqestena në atë kohë ishte asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë. Më vonë, pas ndarjes së VV-së, ai bashkë me të tjerët kaluan në PSD, dhe sot udhëheq degën e kësaj partie në Podujevë.

Pas vizitës, Rudari përmes një postimi, Maqestenën e ka quajtur fermer të vyeshëm dhe të suksesshëm.

“Sot bashkë me ministrin Besian Mustafa vizituam plantacionet me kumbull të Blerimit. Familja Maqastena është shembull i fermerëve të vyeshëm dhe të suksesshëm llapjanë. Blerimi ka të mjellur me këtë kulturë afër 2 ha dhe sot u ndava i kënaqur me punën e tij dhe gjithë kësaj familje”, ka shkruar Rudari.