LDK kërkon shkarkimin e Nagavcit, Selmanaj pyet Kurtin: A mendon ende se kush e shkel Kushtetutën është super kriminel?

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka kërkuar shkarkimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit pasi që sipas tij, “ajo ka shkelur Kushtetutën”. 

“MASHTI i ka çu letër Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar prova se ku e ka shkelur Kushtetutën. As vendet që lidhje me demokraci nuk kanë nuk i bëjnë këto gjëra. Kjo është skandaloze”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se “a mendon ende sikurse në vitin 2015 se kush e shkel Kushtetutën është super kriminel”.

“Kryeministri Albin Kurti në të kaluarën në vitin 2015 kishte deklaruar se kush e shkel ligjin është kriminel, e kush e shkel Kushtetutën është super kriminel. Kryeministër a mendon ende se kush e shkel Kushtetutën është super kriminel”, iu drejtua Selmanaj kryeministrit Kurti.

Ai tha se LDK kërkon që të shkarkohet menjëherë ministrja Nagavci, siç tha ai, “jo si akt moral, por si shkelës të Kushtetutës”.

“Ndalni këto kërkesa ndaj institucioneve të pavarura, t’i ruajmë këto institucione sepse duke i ruajtur këto ne e ruajmë vet shtetin. Shkelësi i Kushtetues nuk e ka vendin në qeveri, në rrethana tjera vetë kryeministri do ta diskutonte ekzistencën e vet si kryeministër, sepse vartësit e tij po e shkelin Kushtetutën. Me i thanë Gjykatës Kushtetuese dërgomi provat, është njëjtë sikur me i thanë një gjyqtari të Gjykatës Supreme tregomë pse e ke dënuar një kriminel”, tha Selmanaj.