Komuna e Ferizajt

LDK-ja në Ferizaj kritikon komunën për gjetjet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm

Auditori i Përgjithshëm ka publikuar raporton e auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Ferizaj për vitin 2023.

Në këtë raport janë publikuar një varg shkelje dhe vërejtje në fusha të ndryshme, por gjithashtu janë publikuar edhe pasqyrat tjera financiare që sipas Auditorit kjo komunë pasqyron një pamje të drejtë financiare dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin Publik.

Rreth kësaj çështje kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi nëpërmjet një konference për media, ka thënë se gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm në këtë raportor janë shqetësuese dhe gjendja nuk dallon aspak me vitet e mëhershme.

Sipas Azemit, nga ky raport rezulton se Komuna e Ferizajt vitin e kaluar ka bërë prezantim jo të saktë të detyrimeve të papaguara në PVF në vlerë prej 80 mijë eurove, pastaj prezantim jo të saktë të llogarive të arkëtueshme në PVF në vlerë prej 127 mijë e 975 euro.

“Po ashtu komuna ka bërë prezantim jo të saktë të detyrimeve kontigjente në PVF në vlerë prej 2,600,648 eurove, prezantim jo të saktë të të pasurive në PVF, për shkak të nënvlerësimit për 192,138 eurove, duke bërë që vlera e pasurive kapitale dhe jokapitale të mos jetë e shpalosur saktë në PVF dhe Keqklasifikim të shpenzimeve në kategori ekonomike në vlerë 787,464 eurove. Për t’u thelluar më tej, Komuna kishte hyrë në obligime kontraktuale në vlerë prej 2,326,548 eurosh pa fonde të mjaftueshme financiare”, ka thënë Azemi.

Sipas Azemit komuna e Ferizajt gjithashtu ka kontraktuar shërbime përmes procedurës së hapur të prokurimit me operator ekonomik privat për shërbime të cilat ofrohen nga ndërmarrjet publike komunale.

“Tutje Komuna e Ferizajt gjatë vitit 2023, nuk kishte regjistruar 31 të punësuar në listën e pagave, të cilët kishin kontrata të rregullta të punës. Derisa për shkak të vonesës në pagesën e detyrimeve financiare komuna ka paguar shpenzime shtesë në vlerë prej 254,260 euro në emër të procedurës kontestimore/përmbarimore apo interesit për pagesë të vonuar”, ka thënë më tej Azemi.

Ai ka sqaruar se ky raport i auditimit gjen se në dhjetë pagesa të testuar në vlerë prej 547 mijë e 842 euro, komuna ka përdor fondet nga projektet për qëllime tjera nga ajo për të cilin ishin planifikuar, pa i zbatuar procedurat dhe kriteret për transferim dhe rialokim të ndarjeve buxhetore nga një projekt kapital në një tjetër.

Sipas Azemit, evidentohen po ashtu marrëveshje ku janë shmangur procedurat e prokurimit dhe nënvizohet se si Komuna kishte financuar OJQ me vlerë prej 8 mijë e 526 eurosh duke iu shmangur thirrjes publike për financimin të OJQ-ve.

“Situatën më shqetësuese e bën edhe mungesa e progresit në zbatimin e rekomandimeve që janë dhënë pas auditimit të PFV-ve në vitin 2022. Në raportin e sivjetshëm theksohet, ritheksohen se në vitin 2022 Komunës së Ferizajt i ishin dhënë nga auditori plot 19 rekomandime. Por, nga to vetëm 6 janë zbatuar, kurse 13 jo. Pra, nuk janë zbatuar as 30% e rekomandimeve. Po flasim për një gjendje të përsëritur, për gjetje që nënvizojnë parregullësi financiare që dëmtojnë buxhetin e interesin qytetar. Derisa në anën tjetër kemi një barrikadim nga qeverisja komunale, që reziston t’i zbatojë rekomandimet dhe refuzon ta përmirësojë gjendjen”, ka thënë më tej ai.

Komuna e Ferizajt, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me këtë çështje, madje zëdhënësi i saj Selim Marevci nuk ka qenë i qasshëm të hënën.

Kjo komunë përmes një letre dërguar auditorit të përgjithshëm të cilën e ka siguruar Telegrafi, midis të tjerash thuhet se ka pranuar draftin e këtij raporti dhe në afatet kohore do t’i përgjigjen me rekomandime.

“Brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit final, do t’ju dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”, thuhet në letrën e kësaj komune.