LDK-ja i ndihmoi Nismës të kalojë pragun, thotë Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, ka thënë se partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, por ka shtuar se do t’i duhet një parti e vogël që të arrijë shumicën në Kuvend. Sipas saj, pas një vlerësimi të situatës për të kaluarën është “kuptuar se LDK-ja ka ndihmuar Nismën të kalojë pragun”.

“Nëse shohim sondazhet, është bërë një nga UBO Consulting, që është publikuar edhe nga Besnik Bislimi, por edhe në emisione, për shembull edhe në KTV te Desku, shihen rezultatet. Kushdo që s’i beson këtyre sondazheve i ftoj të dalin në zgjedhje e të bëjmë matjen reale”, ka thënë ajo kur është pyetur se a do të fitojë VV-ja më shumë se 50 për qind të votave, nëse zgjedhjet mbahen së shpejti.

“S’po them se vetë do të bëjmë qeverinë, por mendoj se do të kemi nevojë për një parti të vogël që të bëjmë numrin 61”, ka shtuar ajo.

Sipas Haxhiut, Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-partneri i VV-së, i ka ndihmuar Nismës Socialdemokrate që të kalojë pragun në zgjedhjet e 6 tetorit, “sepse ndryshe s’do t’i bënin votat”. Ajo ka thënë se pas një vlerësimi të situatës, “del se gjithçka ishte e planifikuar”.

“Kur kthehesh pas, dhe e vlerëson situatën, jam e bindur se LDK-ja i ka ndihmuar Nismës që të kalojë pragun. Do të ishte ndryshe, por po duket se ishte e planifikuar kjo që ka ndodhur. Ata s’do t’i bënin votat. Sepse aktivistët tanë tregojnë se kur rinumëroheshin votat, kur Nisma humbte një votë, vëzhguesit e LDK-së reagonin më shumë se të Nismës, dhe pastaj disa ankesa e i kanë ndihmuar njëri-tjetrit pastaj edhe vendimet e PZAP-it herë ndryshe e të kundërta padyshim, ishte e qartë që ka pas ndikime… por këtë e kemi kuptuar më vonë”, ka thënë ajo.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, LDK-ja ka arritur marrëveshje me AAK-në e Nismën për bashkëqeverisje.

Se a do të pranonte VV-ja një qeveri tash me Vjosa Osmanin në krye, Haxhiu ka thënë se partia e saj është e bindur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, duke shtuar se “po të mos ishte kandidate për kryeministre Osmani, LDK-ja do të ishte partia e tretë, madje larg të dytës e të parës”.