Aderim

Ilir Baldedaj i bashkohet LDK-së

Ilir Baldedaj përmes një postimi në profilin e tij ka bërë të ditur se rrugëtimin e tij politik do ta vazhdojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai duke drejtuar akuza në pushtetin aktual në Prizren, ka thënë se votat e rajonit të Hasit do të jenë garanci që Driton Selmanaj të jetë kryetar i ardhshëm i Prizrenit.

Baldedaj ka qenë pjesë e AAK-së dhe kandidat për deputet nga kjo parti në zgjedhjet e fundit.

Shkrimi i plotë:

 Në një kohë shumë kritike për Prizrenin, qytetin të cilin e udhëheq njeriu dhe partia që tashmë janë dëshmuar për keq qeverisje dhe abuzim me pushtetin, është e vështirë të qëndrosh si spektator. Këta abuzues duhet të luftohen me të gjitha mjetet demokratike politike, që Prizreni t’i kthehet qytetarëve.

Për këto dhe shumë arsye tjera, nga sot kontributi im politik do të jetë i madh dhe i vazhdueshëm duke përqafuar RRUGËN E RE për Kosovën e për Prizrenin. Pa LDK-në nuk ringjallet Prizreni, pa LDK-në nuk zhvillohet Prizreni, pa LDK-në  Prizreni nuk i kthehet prizrenasve!

Rikthimi im në politikën aktive të qytetit fillon nga sot në kuadër të LDK-së, me besimin më të madh që votat e quara dëm në vitin 2017 dhe 2021, në zgjedhjet e ardhshme të shkojnë aty ku duhet. Votat e votuesve për LDK -në në Has dhe kudo në Prizren do të jenë një garanci për kryetarin e ardhshëm të qytetit, i cili do të jetë Driton Selmanaj, Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren.

Pavarësisht përpjekjeve për të më goditur në mënyra të ndryshme që të më eliminojnë politikisht, drejtësia vendore ka dëshmuar se jam i pastër sikur loti. Dhe, si i tillë nga sot i bashkohem LDK-së për ti mposhtur politikisht të gjithë ata që i kanë bërë dëm Prizrenit, për ta rikthyer LDK-në në qeverisjen e qytetit.

Rruga e Re është një garanci e rikthimit të fuqishëm të LDK-së në pushtetin lokal në Prizren. Me rikthimin e LDK-së, do ti kthehet shpresa dhe jeta e vërtetë Prizrenit!

Me respekt,

Ilir Baldedaj