Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë edhe një herë u ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të bëhen pjesë e ekipit. Por, këto dy këto parti thonë se refuzojnë të bëhen pjesë e një delegacioni që sipas tyre nuk ka legjitimitet.
Ndërkohë, që ata që merren me mbikëqyrjen e procesit të dialogut thonë se duhet të ketë një unitet sa i përket procesit të dialogut dhe se të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësi.Delegacioni shtetëror për dialog sot ka mbajtur takimin koordinues me krerët shtetërorë, por në takim nuk morën pjesë partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe LVV. Pas takimit, bashkëdrejtuesi i ekipit për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, potencoi se është papërgjegjësi e LDK-së dhe Vetëvendosjes që nuk po tregojnë gatishmëri për t’u ulur në tavolinën për dialogun. Këtë ftesë të ekipit negociator, po e refuzojnë LDK dhe LVV. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk shohin asnjë arsye e as mundësi që të bëhen pjesë siç e ka quajtur ‘dekorues’ ekipin negociator.
Mustafa ka thënë se qëndrim i organeve të partisë që drejton është se dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri që ka legjitimitet e që ka shumicën në Kuvend. Se nuk do të bëhen pjesë e ekipit negociator thotë edhe deputetja nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci, sipas së cilës ky ekip është themeluar për t’ia larguar presidentit Thaçi ‘vetminë e madhe’.
Ajo tha se për të qenë pjesë e dialogut duhet të ketë një legjitimitet të atyre që udhëheqin këtë proces dhe sipas saj këtë legjitimitet nuk e kanë asnjë nga anëtarët e ekipit. Në anën tjetër, ata që merren me mbikëqyrje të dialogut shprehen se do të duhej që të gjitha partitë të marrin përgjegjësinë për procesin e dialogut.
Eugen Cakolli nga KDI, për KosovaPress ka thënë se një ikje nga përfshirja aktive në dialog nuk i konvenon askujt, madje sipas tij as LDK-së dhe as LVV-së si parti opozitare. Ndërkaq, Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se opozita po shmanget për shkak se projektligji në vetvete nuk i jep forcë vendimmarrëse opozitës brenda për brenda delegacionit.
Ai ka thënë se te neni që flet pikërisht mbi procesin e vendimmarrjes në delegacionin shtetëror, thotë që vendimet i merr të gjitha unanimisht, njëzëri. Por, nëse dy herët e para nuk arrihet ky unanimitet, atëherë vendimmarrja bëhet me shumicë të kualifikuar të anëtarëve të pranishëm. Kjo sipas tij nuk i jep asnjëfarë lloj fuqie vendimmarrëse për opozitës.
Ndryshe, ekipi negociator më 8 janar për herë të parë ka qenë në Bruksel, ku kanë zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësuesit e BE-së.







