LDK assesi të bëjë marrëveshje me VV-në: S’e lëshojmë postin e kryeministrit

Pavarësisht propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje që dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, të garojnë së bashku në zgjedhjet e reja, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se një gjë e tillë është tejet vështirë të ndodhë. Me këtë rast ata kanë ripërsëritur se postin e kryeministrit nuk e lëshojnë assesi, edhe në rast se rrethanat e imponojnë ndonjë koalicion parazgjedhor, siç mund të jetë ai me LVV-në.

Pavarësisht propozimit të LVV-së për koalicion parazgjedhor, nga LDK-ja kanë thënë se parapëlqejnë të garojnë si subjekt i vetëm. Koalicioni sipas tyre vjen në konsideratë vetëm në rast se partitë e tjera bashkohen në një krah tjetër, sikurse kishte ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

“Ne deri më tash jemi deklaruar se dëshirojmë të shkojmë vetëm në zgjedhje. Por nëse partitë politike lëvizin, siç kemi pasur rastin në zgjedhjet e fundit, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të kemi koalicion me ndonjë subjekt politik, që në këtë radhë është edhe Vetëvendosja”, ka deklaruar deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, e cila megjithatë ka shtuar se Këshilli i Përgjithshëm vendos në fund për këtë çështje.

Por edhe në rast se do të ketë koalicion mes LDK-së e LVV-së Gaxherri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e lëshon në asnjë mënyrë postin e kryeministrit. “Në bazë të rezultatit të fundit të zgjedhjeve LDK-ja është e para dhe natyrisht që pa marrë parasysh se me cilin subjekt mund të ketë koalicion parazgjedhor, LDK-ja nuk e lëshon këtë post, sepse është subjekti i parë politik dhe ka obligim që qytetarëve të vendit t’ua japë kryeministrin”, ka potencuar ajo gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Duke u nisur nga fakti që edhe LDK-ja, edhe LVV-ja kanë deklaruar se nuk e lëshojnë pozitën e kryeministrit, Gaxherri ka thënë se arritja e një koalicioni para zgjedhjeve mes këtyre dy subjekteve është mjaft i vështirë. “Koalicioni parazgjedhor është edhe i vështirë, por edhe jo i dëshirueshëm, ju them me bindje”, ka nënvizuar deputetja e LDK-së.

loading…