LDK akuzon Kurtin se zbatoi vendimin e Serbisë për ta futur në karantinë Veriun

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. LDK’ja thotë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zbatoi vendimin e Serbisë për ta futur në karantinë veriun e vendit.

Gjithashtu në komunikatën adresuar mediave, LDK’ja thotë se qëllimi i Serbisë nuk është fati i qytetarëve të Kosovës, por zgjerimi i ndikimit në këto komuna.

Por, sipas LDK’së, edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij sulmi të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit.

Tutje, LDK thtoë se qeveria e Kurtit duhet të garantojë shëndetin e qytetarëve tanë në veri, por në asnjë mënyrë të heqë dorë nga ushtrimi i sovranitetit në territorin e vendit.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të shkruar nga LDK’ja:

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimet në lidhje me zhvillimet në veri të vendit. Situata në veriun e vendit, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit.

Si gjithmonë, Serbia nuk brengoset për fatin e qytetarëve të Kosovës në veri, por qëllimi i saj është zgjerimi i ndikimit në këto komuna.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit.

Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet tjera kompetente duhet të garantojnë shëndetin e qytetarëve tanë në veri, të ofrojnë ndihmën e nevojshme sikur në çdo pjesë të Kosovës, por nuk duhet në asnjë mënyrë të heqin dorë nga ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin.

Ajo që është arritur për vite të tëra për shtrirjen e sovranitetit në veri, kthimin e pikave doganore, zbatimin e marrëveshjeve për integrimin e sistemit të drejtësisë dhe policisë, nuk bën të rrënohet nga kryeministri në detyrë dhe vartësit e tij.

Institucionet e Kosovës duhet të garantojnë sovranitetin në çdo fushë, por edhe t’ju dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie për tejkalimin e situatës së emergjencës shëndetësore