Lazio ka telashe t’ia paguajë Fenerbahçes borxhin për Muriqin

Skuadra e Fenerbahçes mund të marrë 18% mbi shumën e përcaktuar nëse Lazio nuk arrin t’ia paguajë këstin e dytë për blerjen e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka raportuar të mërkurën gazeta e Romës ‘il Tempo”.

Lazio ka rënë dakord që Febnerbahçes t’ia paguajë me katër këste 18 milionë euro për blerjen e Muriqit.

Lazio ka kryer këstin e parë në vlerë 5 milionë euro, derisa të dytin obligohet ta paguajë deri në fund të këtij viti. Por, skuadra italiane ka kërkuar që këstin e dytë ta paguajë në janar të vitit të ardhshëm.

Sipas marrëveshjes, në rast të vonesës së kryerjes së obligimit, Fenerbahçe ka të drejtën e marrjes së kamatës që shkon deri në 18 për qind. Muriqi ka luajtur shtatë ndeshje qëkur është transferuar te Lazio, apo në total 284 minuta. Ai ende nuk ka arritur të tregojë vlerat që ka, derisa te Lazio presin shpërthimin e tij.

26-vjeçari me Lazion ka kontratë deri në qershor të vitit 2025.