Lavrov e nxjerr zbuluar Vuçiqin, thotë se ai dhe Putin flasin në telefon, i krahasojnë pozicionet dhe i koordinojnë hapat

Në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov tha se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Rusisë po zhvillohet gradualisht në të gjitha nivelet, pavarësisht nga situata komplekse ndërkombëtare.

Ai shtoi se presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin po flasin në telefon, duke “krahasuar qëndrimet e tyre, duke koordinuar hapat tanë të ardhshëm”.

Duke komentuar mosardhjen e tij në Beograd në qershor, ministri rus tha se “ata që e pamundësuan me urdhër të “bosëve” të tyre duhet të kuptojnë se “djallëzitë” e tyre nuk mund të tronditin marrëdhëniet ruso-serbe, për të cilat ai thotë se bazohen në miqësi e fortë e dy kombeve.

Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, thuhet se Lavrov dhe Vulin diskutuan për çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, për angazhimin e ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe koordinimin e ngushtë të përpjekjeve për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka qenë sot në Moskë, ku ka takuar Lavrovin, si dhe është takuar me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Industrisë Speciale ruse.