Lavdim Krasniqi dhe dy të tjerë dënohen me 5 vjet e dy muaj burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe Ardian Krasniqit dhe Marigonë Berishës, duke i dënuar së bashku me 5 vjet e dy muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, u lirua nga akuzat.

Aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetari i trupi gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lavdim Krasniqi për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Dënimi me burgim, të akuzuarit Krasniqi me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë.

Ndërsa, u lirua nga akuza për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pasi nuk është provuar se ka kryer këto vepra penale.

Kurse, Marigonë Berisha u dënua me 5 mijë euro gjobë për “Falsifikim i dokumenteve”. Të njëjtës, do t’i kthehet vetura e sekuestruar.

Sipas aktgjykimit, Ardian Krasniqi u dënua me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë për “Falsifikim të dokumenteve”, kurse për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” me 4 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë.

Po ashtu, i akuzuari Ardian Krasniqi, u lirua nga akuza për veprën penale “Ushtrim ndikimi”, pasi nuk u provua se e ka kryer të njëjtën.

Në këtë dënim, të akuzuarve do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Në rast se nuk e paguajnë dënimin me gjobë, i njëjti iu zëvendësohet në dënim me burgim.

Të akuzuarit Ardian Krasniqi, iu shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit në administrate apo shërbime publike, në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, pas ekzekutimit të dënimit.

Ndërsa, Flora Doda u lirua nga akuzat, pasi nuk është provuar se e njëjta ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzoheshin se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.