Interi në kërkim të golit. Pas një starti pozitiv të sezonit, që dukej sikur vuri në binarë këtë Inter, tashmë zikaltërit hasin pengesat e vërteta, duke mos përjashtuar edhe varësinë e krijuar nga Icardi.
Mauro po e ndryshon përshtatjen e tij me grupin pikërisht siç i është kërkuar nga trajneri Spalleti, por në ndeshjet e fundit ka lënë sërish përshtypjen si pak i përfshirë në zonën e sulmit.
Nga ana tjetër ky Inter ka në organikë edhe Lautaron, që në fushën e blertë bën rimë me golin, ku raporti mes minutave të luajtura dhe shënimit të golit për sulmuesin argjentinas mbetet vetëm pas atij të dy sulmuesve polakë, Piatek dhe Milik, me 21-vjeçarin që shënon në çdo 118 minuta.
Statistika që mbështesin zgjedhjen e Interit për këtë sulmues, tek i cili projektonin një zëvendësues dhe mbështetje të denjë për kapitenin Icardi. Por, në total, tredhëmbëshi titullar i Interit nuk ka arritur pritshmëritë, madje lë shumë për të dëshiruar, duke bërë që Politano, Icardi dhe Perisic të numërojnë së bashku vetëm 14 gola në kampionat, aq sa numërojnë të vetëm Ronaldo, Quagliarella dhe Zapata.
Për më tepër, në klasifikimin e përgjithshëm të golave të shënuar Interi ka zbritur në vendin e 6-të.
Për të prishur këtë trend negativ të gjitha indiciet të çojnë drejt një impenjimi dhe përfshirjeje më të madhe të Lautaros. Ndoshta me një sistem loje që të mbështesë dyshen e sulmit, pa prishur rendin taktik, pasi i vetëm Icardi nuk shënon me aksion që prej tre muajsh.
Ndërkohë që me përfshirjen e Lautaros në garat e fundit krah Icardit Interi ka treguar se ka shtuar fuqitë dhe xhirot motorike. Me pak fjalë, duke shtuar këtë element, janë rritur edhe rastet për gol.
Pra, edhe pse Spalletti me të drejtë shqetësohet nga mungesa e ekuilibrit, sërish numrat e sulmuesit Lautaro e ftojnë atë drejt zgjidhjes së problemit.







