Latifi premtoi se nuk do t’i linte mjekët ta braktisin Kosovën, në fund ikën vet

Ministri i larguar i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kishte premtuar se nuk do t’i linte mjekët të ikin nga Kosova.

Por, në fund iku edhe vet.

3 mijë infermierë kanë kontrata për të ikur nga vendi 

500 infermierë kanë ikur nga Kosova vetëm gjatë këtij viti, ndërsa sipas të dhënave zyrtare nga Sindikata e Infermierëve, rreth 3 mijë infermierë kanë arritur të lidhin kontrata dhe shumë shpejt mund të ikin nga Kosova.

Kjo nuk është e gjitha, me 13 tetor një shoqatë e infermierëve Gjerman, do të vije në Kosovë, llogarite se me lehtësirat për të nënshkruar një kontratë aty për aty, do të mund të joshesh edhe rreth 200 infermierë të tjerë.

Tallja e qeverise me ikjen e personelit mjekësor

Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe moskalimi i Ligjit të pagave bën që personeli shëndetësorë të shoh mundësi më të mirë në vendet e huaja. Thirrjet e përfaqësuesve shëndetësorë drejtuar institucioneve për situatën e krijuar hasën në vesh të shurdhër, madje disa nga pushtetarët edhe ‘tallën’ me ta.

Deklarata më skandaloze ishte ajo e  zëvendëskryeministrit të Parë, Besnik Bislimit.

“Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ka thënë Bislimi.

Në një nivel tjetër të talljes më mjekët shkoi, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, njëherit edhe drejtuese e Komisionit për Shëndetësi. Ajo deklaroi se aktualisht nuk ka mungesë të mjekëve në Kosovë.

Sipas saj, mjekët gjithmonë e kanë në fokus që të punësohen në Prishtinë dhe kështu po vështirësohet puna në spitalet regjionale.

“Ne nuk kemi aktualisht mungesë të mjekëve. Çka ka ndodh është se janë ndarë specializimet pa kritere shumë vite, pastaj është bërë një politikë e mbrapshtë e koncentrimit të kuadrove vetëm në Prishtinë. Në një farë forme kjo ka shkaktu probleme në spitalet regjionale”, ka thënë ajo.

Për tu habitur kishte qenë edhe deklarata e deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci. Ai ka thënë se mjekët nuk po shkojnë prej QKUK-së, por po ikin studentët, shkruan Gazeta Insajderi.

“Asnjë mjek specialist i QKUK-së nuk ka ikur nga Kosova, as tash as në të kaluarën. Vetëm studentët e fakultetit të Mjekësisë  kanë ikur sepse nuk kanë pasur përkrahje”, kishte thënë Bajqinovci.

Mirëpo, kryeministri Kurti sot në senacën e Kuvendit tha se arsyeja e trendit të ikjes do të vazhdojë deri sa të rregullohet hendeku ndërmjet arsimimit dhe tregut të punës.

Madje ai, shtoi se pjesa me e madhe e tyre po ikin nga sektori privat.

“Sa i përket ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve në Kosovë është e vërtetë se është problem i madh dhe arsyeja kryesore e migrimit të pasluftës është mungesa e urës ndërmjet arsimimit dhe aftësimit profesional dhe tregut të punës, ky është problemi më i madh. Unë e di që po ikin mjekët, infermierët personeli mjekësor por pjesa me e madhe po iki prej sektorit privat’, tha Kurti.