Latifi: Në PDK për t’u bërë deputet duhet të kesh para, nuk ka rol kontributi politik

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thurur kritika kundër PDK’së, pas kalimit të deputetes së kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Adelina Grainca, në Lëvizjen Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme.

Latifi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 2019’ës, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’,  ka thënë se në këtë subjekt politik është krijuar standardi që kandidatët që garojnë për deputet duhet të jenë të pasur.

“Rasti i kësaj deputetes së PDK-së që doli në VV, flet ma shumë për PDK-në se sa për deputeten. Pse? Sepse në PDK, prej vitesh, është bërë standard që për t’u zgjedhur deputet të duhet të kesh me vete një çantë të madhe me pare kur nisesh në fushatë, e jo kontributi politik i dhënë në parti”, ka shkruar profesori universitar në profilin e tij.

“Njoh sa e sa njerëz në PDK të cilët që fëmijë kanë punuar me zell e pasion për këtë parti, por në zgjedhjet e fundit morën vota të papërfillshme”, deklaroi më tej njohësi i çështjeve politike.

“Nëse kjo parti nuk e rikthen standartin e vlerësimit të atyre që kontribuojnë realisht në organizatë, rënia e saj do të vazhdoj me ritëm edhe ma të madh”, ka shtuar tutje Latifi.