Profesori

Latifi kujton bashkëluftëtarët e Koshares: Sa me shumë kalojnë vitet, aq më shumë emri dhe vepra u lartësohen

Analisti dhe profesori universitar, Blerim Latifi, me rastin e 25 vjetorit ka kujtuar Betejën e Koshares.

Me anë të një postimi në Facebook, Latifi, që edhe vetë luftoi në Koshare, ka kujtuar heronjët e kësaj beteje, duke theksuar veçantinë e 114 dëshmorëvë të Kosharës.

“Sepse gjithçka e mbulon pluhuri e harresa, përjashto kujtimin e atyre që vdesin për lirinë”, ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

“Disi e kam të vështirë t’i përshkruaj ndjesitë e asaj dite kur bashkë me batalionin tim kemi zbritur kësaj rruge në drejtim të Batushës. Gjuha më duket e varfër disi. Lufta kishte përfunduar. Kosova ishte çliruar. Gëzim më të madh nuk mund të kishte. Por me gëzimin përziheshin ndjesi të tjera. Ndjesia e dhimbjes për shokët që kishim lënë prapa. Për dy muaj e kishim parë nga lartësitë Rrafshin e Dukagjinit, i cili me të ardhur pranvera dukej edhe më i bukur. Dhe të gjithë veç një dëshirë e kishim: të zbrisnim atje sa më parë. 114 prej nesh mbeten atje në lartësitë e Koshares. Heronj të lirisë së saj dhe gjithë Kosovës. Heronj që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë emri e vepra u lartësohen”, ka shkruar Latifi.