Latifi kritikon praninë e liderëve në stadium: Marre të dalldisesh në një kohë morti të madh

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka kritikuar praninë e liderëve shtetërorë në stadium “Fadil Vokrri” në Prishtinë ku po luhet ndeshja e Kosovës me Greqinë.

Latifi thotë se jemi në një kohë kur për një javë kanë vdekur 171 persona nga Covid-19, ndër ta edhe një foshnje 3 javëshe.

“171 qytetarë të Kosovës, përfshirë një foshnje tri javëshe, kanë vdekur nga covidi vetëm gjatë kësaj jave. Gjasat e mëdha janë që edhe java e cila po vjen të jetë po kaq kobzezë. Në këtë situatë është vërtet e turpshme që krerët e shtetit të shfaqen në stadiumin e Prishtinës për të shijuar kënaqësinë e një loje futbolli. Po kaq të turpshme janë edhe fotografitë e shpërndara nga shikuesit brenda stadiumit. Krejt kjo shpërfaq mungesën e një ndjesie elementare të solidaritetit me qindra familje të mbërthyera nga morti, e me mijëra qytetarë që në këto momente po luftojnë me vdekjen”, thotë ai.

“E thashë disa ditë më parë: jemi shndërruar në një shoqëri egoistësh të këqinj, që nuk na intereson asgjë përveç vetes tonë. Sonte u binda në vërtetësinë e këtij mendimi. Le të luhet loja, por mos u dalldisni! Sepse është marre të dalldisesh në një kohë morti të madh”, përfundon ai.