Profesori universitar, Blerim Latifi, në reagimin e tij për sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi, ka thënë se është e rrezikshme të bësh gazetari hulumtuese në Kosovë.
Latifi shkruan se gazetarinë hulumtuese në Kosovë mund ta paguash me kokë.
Reagimi i plotë i Latifit:
Prej vitesh gazetaria në Kosovë është reduktuar në raportim mbi protokollin e përditshëm të institucioneve dhe në analizë të deklaratave të politikanëve. Ajo që e bën të lavdishëm profesionin e gazetarit, gazetaria investigative, është pothuajse inekzistente në Kosovë. Pse? Sigurisht, mund të ketë disa shkaqe, por sulmi e mbrëmshëm brutal mbi Visar Duriqin na e shpërfaqë shkakun kryesor: është e rrezikshme të bësh gazetari investigative në Kosovë, sepse mund ta paguash me kokë. Krimi i organizuar, brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, si gjithkund në botë, gjithmonë synon të imponojë Kodin e Omertas, kodin e heshtjes: mund ta shohësh krimin, por nuk guxon ta kallzosh, mund të mos pajtohesh me të, por nuk guxon ta thuash publikisht mospajtimin. Në të kundërtën heshtja do të sigurohet përmes frikësimit dhe gjakosjes në prita të organizuara qosheve të errta të këtij vendi të cilit kurrë s’ju ndanë forcat e errësirës.






