MINT

​Largimi i zyrtarëve nga MINT, Hajdari tregon nëse kishte ndërhyrje në procese

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka komentuar sot largimin e disa zyrtarëve publikë nga ky institucion.

Ajo në një konferencë për media, ka thënë se në asnjë moment nuk ka pasur ndërhyrje në procese sa i përket trajtimit të lëndëve të tyre, teksa ka mohuar që në ministrinë që ajo drejton të ketë zyrtar që vijnë nga partia në pushtet.

“Shërbyesit civilë janë nën sekretarin e MINT, këto pyetje duhet t’i drejtoheni aty, sepse në asnjë moment ministri i kabinetit të MINT nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje në procese sa i përket trajtimit të lëndëve të tyre të dorëzuar me vërejtjet e dhëna nga udhëheqësit e tyre në komisionin disiplinor. Sa i përket emërimit të zonjës Salihu, jo vetëm atë, por edhe shumë zyrtarë të tjerë, i kam emëruar si ushtrues detyre me të njëjtin koeficient dhe pyetja ime është, pse pyetni për zonjën Salihu, pse nuk pyetet për paraardhësen e saj që ishte me një koeficient të njëjtë në këtë agjenci… Mos zbatoni pasqyrën ose psikologjinë e pasqyrës, sepse ka ndodhur më herët, kur politika është përfshirë në shërbimin civil, ka pasur kur politika është përfshirë në punësimin e zyrtarëve në ministri. Dhe ju lutem gjene një zyrtar që është akterë që ka lobuar për LVV i punësuar në MINT… Le të akuzojnë, unë nuk merrem me akuza, merrem me punë”, tha ajo.

E pyetur nga mediat lidhur me dokumentacionin sa i përket rezervave shtetërore, ajo tha se si ministri janë të hapur për çdo informacion të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi për rezervën shtetërore dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, duke shtuar se nuk do e shkel në asnjë moment ligjin për rezervën shtetërore

“Ju udhëzoj që t’i pyesni gjithë anëtarët e komisionit parlamentar hetimor për mënyrën e zbatimit të ligjit për hetimet…Ne si ministri jemi të hapur për çdo informacion të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi për rezervën shtetërore dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Jam e dedikuar të mbrojë ligjin dhe nuk do ta shkel në asnjë moment ligjin për rezervën shtetërore dhe për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Nëse MINT merr pyetje që shkelin privatësinë e rezervës shtetërore, ne jemi të dedikuar të mbrojmë republikën tonë e po ashtu edhe ligjet”, tha Hajdari.

Këto komente Hajdari i bëri në lansimin e tri thirrje publike për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese.