Lajmi për arrestimin e Krasniqit të VV-së mbërrin edhe në Slloveni, reagon ish-kryeministri Jansha, e lidh me skandalin e Martin Berishajt

Lajmi për arrestimin e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi ka arritur edhe në Slloveni. 

Për këtë ka reaguar edhe ish-kryeministri slloven Janez Jansha.

Përmes një postimi në Twitter, Jansha aksionin e Policisë së Kosovës dhe arrestimin e Krasniqit e ka cilësuar si rezultat i zbulimeve të bëra në rastin Berishaj- GEN- Golob (kryeministri aktual slloven), transmeton Demokracia.com.

“E fundit: Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj – GENI – presidentit Golob”, ka shkruar Jansha.

Ndryshe, Nagip Krasniqi u arrestua ditën e sotme për tri vepra penale, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit si dhe konflikti i interesit.

Prokuroria njoftoi së Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e Nagip Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti. Prokuroria njoftoi se gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.