Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi sot një takim në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar krizën e re mbi Ngushticën e Hormuzit dhe negociatat me Iranin, konfirmuan dy zyrtarë amerikanë.

Situata me Iranin është në një fazë kritike, me një armëpushim që pritet të skadojë brenda tre ditësh dhe një datë për një takim të ri midis negociatorëve amerikanë dhe iranianë që ende nuk është caktuar, transmeton Ballkani.info.

Njoftimi i Iranit për rimbylljen e ngushticës, si dhe një seri sulmesh ndaj anijeve në rrugën ujore, erdhën më pak se 24 orë pasi Trump tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mund të arrihet “brenda një ose dy ditësh”.

Një zyrtar i lartë amerikan paralajmëroi se nëse nuk arrihet përparim së shpejti, lufta mund të rifillojë në ditët në vijim.

Në takimin në Dhomën e Situatave morën pjesë Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili pritet të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave me Iranin, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, I Dërguari Special Steve Witkoff, Drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët Dan Caine, tha një zyrtar amerikan.