Konflikti i armatosur në Banjskë të Zveçanit ka tronditur rëndë marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, dhe kjo është veçanërisht e dukshme në shembullin e disa anëtarëve të BE-së, të cilët kërkojnë që incidenti në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë, të hetohen plotësisht dhe të hidhet dritë.
Disa anëtarë shkojnë aq larg sa kërkojnë masa ndëshkuese për Serbinë. Hiri shpëtimtar mund të jetë Hungaria, pra kryeministri Viktor Orban, të cilit presidenti serb Aleksandar Vuçiq në takimin e fundit i ka kërkuar, siç mëson Nova, të reagojë nëse në rendin e ditës në Bruksel janë të mundshme sanksionet ndaj Serbisë dhe atij personal, transmeton Ballkani.info.
Pesë ditë pas konfliktit të armatosur në Banjskë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Në margjinat e takimit lidhur me iniciativën për vendosjen e sigurisë strategjike të rajonit në fushën e energjisë, furnizimit me ujë, industrisë ushqimore dhe burimeve njerëzore, presidenti i Serbisë kërkoi nga miku i tij hungarez që të shfrytëzojë të drejtën e vetos dhe të pengojë BE-në nga ndëshkimi i Serbisë në çfarëdo mënyre.
Sipas Nova.rs, Vuçiq e ka shfrytëzuar këtë takim në Beograd për të minimizuar pasojat e ngjarjeve në Kosovë në fund të shtatorit.
“Ai i kërkoi hapur Orbanit, me të cilin takohet më rregullisht se kurrë, të ndikojë në vendimet e Bashkimit Evropian nëse ato drejtohen kundër tij dhe qeverisë së tij. Në veçanti, Vuçiq i ka përmendur Orbanit se e di se po flitet për masa të mundshme kundër Serbisë, se tashmë janë organizuar disa takime me këtë rast dhe se pret që Hungaria të reagojë dhe të vërë veton nëse votohet. Kryeministri i Hungarisë i është përgjigjur se vendi i tij nuk pajtohet me politikën e sanksioneve dhe se prandaj sigurisht që do të jetë kundër një vendimi të tillë”, shpjegon burimi i Nova.rs.
Masat e mundshme duhet të presin përfundimin e hetimeve, por ajo që tashmë është e sigurt është se hapja e Kapitullit 3 në negociatat me BE-në mund të vonohet. Banjska ekspozoi gjithashtu dështimin e BE-së për të ndërmjetësuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, megjithëse zyrtarët e Bashkimit Evropian tashmë kanë vendosur kundër tij, duke përdorur terma si “brutal” dhe “sulm terrorist”.
Në këtë drejtim është zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili theksoi se pret bashkëpunim nga Beogradi në lidhje me hetimin e konfliktit të armatosur më 24 shtator.
Ai tha se BE-ja është e gatshme të shqyrtojë masa në lidhje me Serbinë, nëse shtetet anëtare e konsiderojnë të nevojshme. /Ballkani.info/






