LAJMI I FUNDIT: Taksa drejt pezullimit 120 ditësh, vendimi me së largu javën tjetër

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, pas një takimi të jashtëzakonshëm që kanë zhvilluar krerët e partive në pushtet, në ndërtesën e Qeverisë.

Ky takim, i cili kishte nisur në pasditën e së mërkurës, ka zgjatur më shumë se dy orë.

Pas përfundimit të takimit, që është zhvilluar pas përplasjeve mes partnerëve të koalicionit për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re nuk e kanë thënë asnjë fjalë para gazetarëve.

Por, më vonë, nëpërmjet një komunikatë, ata kanë bërë të ditur se kanë diskutuar “për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës”.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që “ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura”, thekson komunikata.

Gjithnjë sipas këtij njoftimi, krerët e koalicionit qeverisës “u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërëndimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në”.

Pra, fjalia e fundit tregon se në fakt, liderët e koalicionit kanë arritur marrëveshje në parim që taksa të pezullohet.

Burime të Ballkani.info thonë se koalicioni PANA është drejt vendimarrjes për pezullimin 120 ditësh të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“Vendimi për pezullimin e taksës merret më së largu javën tjetër”, thonë këto burime. /Ballkani.info/