LAJMI I FUNDIT: Sami Lushtaku padit zv/ministrin Hysen Durimishi, kjo është arsyeja

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka paditur zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin, pas deklaratës së tij se me ardhjen e Qeverisë Kurti janë prishur planet e njerëzve të liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt dhe të Lushtakut të cilët sipas tij, fitonin miliona nga Ministria e Infrastrukturës.

Sinjali ka siguruar padinë që e ka parashtruar Lushtaku, e të cilën e kishte paralajmëruar para disa ditësh, duke thënë se Durmishi po shpif për të në mënyrë që ta zhvendosë vëmendjen nga skandalet në ministri.

Në padinë për Shpifje, Fyerje dhe Kompensim, të paraqitur nga Lushtaku thuhet se:

“I Padituri, z. Hysen Durmishi, Zëvendësministër I Infrastrukturës, më datë 8 qershor 2022, në një intervistë të mbajtur në njërën nga mediumet televizive të Republikës së Kosovës, kanali televiziv ATV, ka bërë një deklaratë, si në vijim: “Na jau kemi prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituara miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës. Qe një shembull, unë mendoj që kush mund të jenë këta: prej Sami Lashtakut dhe njerëzve rreth tij e deri te Ramush Haradinaj dhe njerëzve të tij. Shembull, po flasin këtu dy kompani private e kanë bërë një dallaver me nja 30 mijë euro, por vec me kontratën e mirëmbajtjes na ia kemi pshtu buxhetit 30 milionë euro. Diku kanë përfundu këto. 14 lloto ne jemi duke i përfundu me 9 milionë euro për 3 vjet bojnë 27 milionë euro, 57 u ka kështu në qeverisjet e kalume, 30 milionë euro kanë përfundu dikun”. Padiësi, në mënyrë tërësisht tendencioze dhe të pabazë, më tutje ai ka vazhduar: “Nuk e di a kanë shku në xhep të Sami Lushtakut apo të Ramush Haradinajt, por që kanë shku në xhepat e njerëzve rreth Sami Lushtakut dhe Ramush Haradinaj jam i bindur”.

Sipas padisë, një deklaratë e tillë ndikon negativisht në emrin e Lushtakut të cilin e ka krijuar ndër vite, duke shtuar faktin që i njëjti ka qenë gjeneral në UÇK.

Lushtaku ka kërkuar nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim, përmes të cilit aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij, të detyrohet Durmishi të kërkojë falje publike, si dhe të obligohet që të mbulojë shpenzimet e procedurës deri në
përfundimin e saj.

Kujtojmë se Lushtaku, ishte shprehur i mllefosur me deklaratën e Durmishi, duke thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij munden me u kapë veç për organin e tij gjenital.