LAJMI I FUNDIT: Rëndohet situata me COVID-19 në Ulqin

Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se qyteti bregdetar i Ulqinit po shënon një situatë të rëndë në përballjen me COVID-19.

Ata vlerësojnë se situata u rëndua për shkak të mosvaksinimit të duhur të qytetarëve, por edhe për shkak se gjatë këtyre muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve dhe nuk u zbatuan me përpikëri masat kundër pandemisë.

Autoritetet shëndetësore të Malit të Zi paralajmërojnë për një vjeshtë tejet të vështirë me COVID-19 për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Delta.

Një përhapje e tillë e virusit u reflektua këtë muaj edhe në qytetin bregdetar të Ulqinit, si pasojë e mosrespektimit të masave kundër pandemisë.

Epidemiologu Kreshnik Mustafa vë në dukje, përhapjen e shpejtë të COVID-19, e cila po shkakton një situatë të rënduar në qytet.

“Ditëve të fundit kemi një rritje shumë të madhe të rasteve pozitive me virusin SARS COV 2. Situata për momentin është e rënduar, por shpresojmë se qytetarët e Ulqinit do të përpiqen të respektojnë masat. Nëse ata respektojnë masat atëherë do të na ndihmojnë edhe neve si punonjës të sistemit shëndetësor të arrijmë ta përballojmë sa më mirë këtë situatë”, ka deklaruar ai për “Zërin e Amerikës”.

Mustafa vlerëson se situata mund të mbahet nën kontroll nëse zbatohen masat mbrojtëse dhe shtimi i vaksinimit, pasi siç shprehet ai, pjesa më e madhe e atyre që paraqesin forma të rënda të infektimit janë të pavaksinuar,

“Masat të cilët ne si qytetarë është dashur t’i marrim është që të ishim vaksinuar sa më shumë, sepse shumica prej 95% e personave që momentalisht janë të infektuar janë ata që nuk e kanë marrë asnjë dozë të vaksinës. Vaksina dihet që të mbron nga sëmundja e rëndë dhe kritike, po ashtu të mbron edhe nga mosshkuarja në spital. Për këtë arsye u bëj apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen”, ka thënë ai.

Ndërkaq, situatës së rënduar epidemiologjike në komunën bregdetare të Ulqinit, sipas kryetarit të Komunës së Ulqinit, Aleksandër Daboviq, i ndihmoi edhe sezoni i turizmit ku gjatë muajve të verës u shënua një fluks i madh i turistëve dhe nuk u zbatuan në përpikëri masat kundër pandemisë.

“Ne e dimë që në fokus, jo vetëm të Ulqinit por në krejt bregdetin e Malit të Zi, ka qenë turizmi, por mendoj që në këtë kuadër e kemi harruar shëndetin. Shëndeti nuk ka çmim dhe sado që ne kemi përfituar prej turizmit në fund nuk e di a do të mundemi të kompensojmë shëndetin që e kemi dëmtuar në këtë mënyrë”, është shprehur Daboviq.

Në qytetin e Ulqinit, ku po qëndron një numër i madh i turistëve nga rajoni e sidomos nga Kosova, vërehet një rritje e dukshme e të infektuarve. Në këtë komunë bregdetare janë mbi 1000 raste aktive, kurse në Mal të Zi aktualisht janë 7500 raste aktive të të infektuarve.

Nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve në Mal të Zi po arrin gati 113 mijë. Si pasojë e COVID-19 në këtë vend kanë humbur jetën 1710 persona.