Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë se deri tani si ministri kanë pranuar rreth 60 aplikime që të heqin dorë nga shtesat prej 100 eurove që qeveria ka ndarë për fundvit.

Ai ka thënë se sot, përveç që do të dalin paga për punonjësit shtetëror do të ekzekutohen edhe shtesat e njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pension marrësit.

“Kemi bërë përgatitje edhe mjetet janë ndarë. Dhe jemi duke bërë përgatitje që të provojmë që gjatë ditës sot të bëjmë edhe ekzekutimin e shtesave. Përveç pagave që do të ekzekutohen sot për punonjësit publik dhe shtesat do të dalin. Ne si ministri po bëjmë të pa mundurën që ta përmbyllim vitin suksesshëm”, tha Murati.

Mirëpo, siç mëson Ballkani.info, pagat janë ekzekutuar, por jo edhe shtesat prej 100 eurove për fëmijët. Të paktën deri në këtë moment (ora 18 e 30), shtesat nuk janë ekzekutuar.

Ende nuk ka ndonjë sqarim nga Ministria e Financave pse nuk kanë dalë deri më tash shtesat. /Ballkani.info/