Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është nënçmuese dhe “përpjekje e VV-së për pushtet absolut”.
Përmes një shkrimi në Facebook, Veliu ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për arritjen e koalicionit nuk janë serioze.
Postimi i plotë i Agim Veliut:
Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës.
E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin.
Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike.
Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi.
Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh.







