LAJMI I FUNDIT: Me propozim të Sami Lushtakut, Dega e Skenderajt nominon Fadil Nurën kandidat për kryetar

Partia Demokratike e Kosovës ka nominuar deputetin Fadil Nura kandidat për kryetar të ardhshëm të Skenderajt, pas pengimit që iu bë kryetarit të Degës, Sami Lushtaku.

PDK ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesën për zëvendësimin e disa kandidatëve për Kuvende Komunale dhe për zëvendësimin e një kandidati për Kryetar Komune.

“PDK beson në shtetin e së drejtës dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura të shtetit, dhe përkundër kundërthënieve të Ligjit për Zgjedhje Lokale, brenda afatit të përcaktuar nga KQZ, i ka bërë të gjitha zëvendësimet e kërkuara. Në këto zgjedhje, z. Sami Lushtaku i është pamundësuar kandidatura për Kryetar të ardhshëm të Skënderajt”, thuhet në komunikatë.

Edhe pse po pengohet të garojë për Kryetar të Skënderajt, sipas komunikatës, Sami Lushtaku, me besimin e qytetarëve të Skenderajt, më 17 tetor, do të jetë pranë tyre në qeverisjen e re të PDK-së në këtë komunë.

“Ndërkohë, në pajtim me kërkesën e KQZ-së, Dega e PDK-së në Skënderaj ka miratuar unanimisht kandidaturën e deputetit Fadil Nura për Kryetar të ardhshëm të Skenderajt. Nga ana tjetër, z. Lushtaku do të vazhdojë betejën ligjore për të vënë në pah të drejtën e tij kushtetuese”, thuhet në komunikatë.