LAJMI I FUNDIT| KFOR-i i kthen përgjigje zyrtare Serbisë lidhur me kërkesën për kthimin e forcave në Kosovë

Përfaqësuesit e Komisionit për Zbatimin e Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, në prag të Krishtlindjes ortodokse, në ora 19:00, në vendkalimin kufitar Merdare, kanë marrë përgjigjen e përfaqësuesve të KFOR-it lidhur me kërkesën për kthimin e 1000 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Kështu raporton sonte gazeta serbe “Novosti” e afërt me pushtetin në Beograd.

“Ministria e Mbrojtjes e ka dorëzuar dokumentin e lartpërmendur në Kabinetin e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta njoftuar presidentin me përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it”, shkruan “Novosti” pa treguar se cila është përgjigjja e forcave ushtarake ndërkombëtare.

Më 16 dhjetor, pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë i dorëzuan KFOR-it një kërkesë për kthimin e 1000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Kosovë. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga nivelet më të larta ushtarake dhe diplomatike ndërkombëtare, mirëpo sonte Serbisë i është bërë e qartë përmes rrugëve zyrtare se cila është përgjigja përfundimtare.