LAJMI I FUNDIT| Bie qeveria e Dritan Abazoviqit, shqiptari nga Ulqini s’është më kryeministër i Malit të Zi

Pas më shumë se 12 orë diskutimesh intensive, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq.

Me 50 vota për dhe 1 kundër, Kuvendi e ka mbështetur iniciativën e DPS-it, partisë së presidentit Millo Gjukanoviq që të rrëzohet qeveria.

Ky mocion i mosbesimit ndaj Qeverisë u iniciua nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive të shumicës qeverisëse.

Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 që ka Kuvendi malazez.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje u vlerësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

Iniciatorët po ashtu kanë vlerësuar se Qeveria ka pasur detyrë prioritare reformimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit, ashtu që të përshpejtohet procesi i integrimit evropian.

“Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviqit, që rezulton në rritje të tensioneve në shoqëri, dhe humbje potencialisht të pariparueshme të kohës për përmbushje të obligimeve nga agjenda jonë evropiane, Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj”, është thënë në iniciativë.

Ajo që kundërshtohet me të madhe në këtë marrëveshje, është pjesa që e njeh subjektivitetin e Kishës Serbe në Mal të Zi gjashtë shekuj më herët se atë të Kishës në Serbi.

Abazoviq ka thënë se palët që janë të pakënaqura me tekstin e harmonizuar të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, kanë qenë në dijeni për përmbajtjen e saj.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka thënë se miratimi i tekstit të Marrëveshjes Themelore mund të vendosë “kurorë” mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.