Sot, rreth orës 11:00, gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë, është ndaluar dhe arrestuar nga policia serbe shtetasi i Republikës së Kosovës, Mit’hat Lozhani.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, i cili ka theksuar se ky nuk është një rast i izoluar. Sipas tij, arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi janë duke u përsëritur, duke krijuar pasiguri reale për qytetarët që udhëtojnë përmes këtij territori.

Avokati Koci ka kërkuar që këto ndalime të ndalen menjëherë dhe që institucionet e Kosovës ta trajtojnë situatën si një çështje serioze të sigurisë kombëtare. Ai ka bërë thirrje për përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe për një reagim më të fuqishëm diplomatik nga ana e Kosovës.

Sipas tij, nëse arrestimet vazhdojnë, nuk duhet përjashtuar as ndërmarrja e masave konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit.

“Si avokat, po bëhet maksimumi i mundshëm për mbrojtjen ligjore të klientit. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual – kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, ka deklaruar Koci.