Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga PDK-ja, Arian Tahiri, ka bërë të ditur sot se ka arritur një marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me qëllim të bashkëpunimit për zhvillimin e qytetit.
Tahiri deklaroi se ky bashkim është një hap përtej dallimeve politike, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit për të ardhmen e Mitrovicës.
“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton,” ka shkruar Tahiri në një postim në rrjete sociale.
Ai shtoi se ky koalicion synon të përfshijë energjinë dhe kontributin e çdo qytetari, pavarësisht bindjeve apo prejardhjes politike.
“Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores! Për ty gjithmonë, Mitrovicë!” – përfundoi Tahiri.
Marrëveshja pritet të forcojë bashkëpunimin ndërmjet forcave politike në qytet dhe të krijojë një bazë të përbashkët për qeverisjen lokale në Mitrovicë.






