Aleksandar Vulin së shpejti do të shkarkohet nga posti i drejtorit të BIA-s (shërbimi informativ serb).
Sipas burimeve të Danas nga kreu i qeverisë serbe, drejtori i ri do të jetë dikush nga radhët e SNS-së (partisë së Vuçiqit), ndërsa zëvendësi i tij do të jetë nga radhët e socialistëve (partisë së Daçiqit).
Pozita e zëvendësit të BIA-s ishte vakante deri më tani, sepse Vulin punonte pa zëvendës. Nuk dihet ende data e saktë e emërimit, por do të bëhet së shpejti, shkruan gazeta serbe, përcjellë Ballkani.info.
Aleksandar Vulin nuk është shfaqur në publik kohët e fundit dhe në qarqet politiket po përflitet shumë se në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit do të zërë vendin e tij Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në SHBA.
Vulin u vendos në krye të BIA-s më 2 dhjetor të vitit të kaluar, me një dorëzim ceremonial të detyrave mes tij dhe ministres së Punëve të Brendshme, Bratislava Gashiq, me të cilën ata në fakt ndërruan pozitat.
Në fillim të korrikut, Vulin u vendos në listën e sanksioneve të Departamentit të Financave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarata e mëposhtme u publikua në faqen e internetit të OFAC më 11 korrik:
“Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) sanksionoi sot një individ në Serbi bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Sanksionimi i Aleksandar Vulinit nënvizon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta mbajtur atë përgjegjës për përfshirjen e tij në praktikat korruptive që avancojnë axhendat e veta politike dhe interesat personale në dëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Këto marrëveshje korruptive lehtësojnë aktivitetet dashakeqe të Rusisë në Serbi dhe rajon”.
Departamenti amerikane deklaroi se Aleksandar Vulin është i përfshirë në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme me tregtinë e drogës dhe shpërdorim të funksioneve publike.
Siç theksuan ata, ai mbajti një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve Slobodan Teshiq, duke ndihmuar dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiqit të lëviznin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë.
Para se të emërohej drejtor i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë, Vulin ka qenë Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Brendshëm. Këto institucione nuk ishin në shënjestër të sanksioneve të SHBA. /Ballkani.info/







