Raste të reja të dyshuara me koronavirus janë lamëruar sonte në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Lajmin e ka konfirmuar infektologu, Valbon Krasniqi i cili nuk ka dhënë shifrën e saktë për personat që janë duke u testuar në QKUK.
“Vazhdimisht ka raste të dyshuara, rastet që kanë ardhur sonte do të testohen nesër. Sapo të dalin rezultatet e analizave do të informoheni”, ka thënë shkurt Krasniqi.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit Rajonal të Gjakovës, Ilmi Shala, ka thënë se një vajzë e moshës së re dyshohet për koronavirus dhe është dërguar për në Prishtinë.
“Një vajzë e moshës së re, 20 vjeçare është transportuar për Prishtinë, ajo ka ardhur në spital pasi ka pasur temperaturë. Vëllai i ka ardhur nga Italia. Menjëherë e kanë dërguar për Prishtinë. E kanë izoluar dhe janë duke ia bërë analizat, rezultatet nuk kanë dalur ende”, ka deklaruar Shala.
Kujtojmë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës në një konferencë ka thënë se ende nuk është konfirmuar asnjë rast në Kosovë.






