Lajm i mirë/ Shërohet njëri prej zyrtarëve korrektues që u infektuan me COVID-19

Një prej pesë zyrtarëve korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, tashmë është shëruar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Sipas tij, asnjë prej të burgosurve deri tani nuk është infektuar me koronavirus. Ai ka treguar se zyrtarët e infektuar gjenden në izolim.

“Kanë qenë të infektuar pesë zyrtarë korrektues dhe një punëtore shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, por një prej tyre është shëruar. Në dy testimet që i janë bërë ka dal negativ. Deri tani, asnjë prej të burgosurve nuk është infektuar me koronavirus. Të infektuarit gjenden në vetëizolim”, ka thënë Gashi

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 79 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara në gjithë vendin shkon në 362.

“Sot më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 250 mostra të marra nga Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS CoV-2 pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste”, ka njoftuar Instituti.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Ferizaj, Prizreni, Hani i Elezit, Vitia, Gjilani, Malisheva, Vushtrria, Skënderaj, Rahoveci, Fushë Kosova, Istogu, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Kamenica.

IKSHP’ja ka bërë me dije se  data 08 shkurt deri më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.