Qyteti i Gjakovës dhe tifozët e klubit të Vëllaznimit pas shumë mundimeve kanë marrë një lajm të madh.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me Ministren, Vlora Dumoshi kanë dhënë miratimin për t’u ndërtuar stadiumi me kushte moderne në qytetin e Gjakovës.
Këtë e ka konfirmuar zyrtari i Vëllaznimit, Besnik Gojani për ‘GazetaBlic, duke theksuar se është shumë i lumtur që po ndërkohet një stadium i tillë në qytetin e tyre.
Ai falënderoi Ministren e MKRS’së, Vlora Dumoshin dhe kryetarin e Komunës, Ardian Gjini për projektin.
Gojani gjithashtu thekson se faza e parë e ndërtimit të këtij stadiumi do të fillojë pas 10 ditësh.
“Dje jam informuar nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumosh që brenda 10 dite do të fillojë ndërtimi i fushës dhe stadiumit të qytetit në Gjakovë. Ky është një lajm shumë i mirëpritur, jam informuar edhe nga zyrtarët komunal që brenda këtij afati kryetari i Komunës, Ardian Gjini dhe Ministrja Dumoshi do të bëjnë të ditur fillimin e fazës së parë të ndërtimit të stadiumit”, tha fillimisht Gojani.
Më pas, ai potencoi që faza e parë e këtij stadiumi do të kushtojë 1.1 milionë euro.
“Sipas Ministres faza e parë do të kushtojë 1 milionë e 100 mijë euro. Kryetarin e Komunës e falënderojmë për angazhimin dhe që nuk është dorëzuar asnjëherë, pasi kishte premtuar një gjë të tillë në fillimin e mandatit të tij”, vazhdoi ai.
Pastaj, zyrtari i Vëllaznimit tha se ky stadium do të ketë 12.900 ulëse dhe do të jetë super modern.
“Stadiumi do të ketë 12,900 ulëse dhe do t’i plotësojë të gjitha kushtet. Nuk do të ndryshohet destinacioni – do të rrënohet stadiumi me faza. Cikli i parë do të jetë ky me shpenzim prej 1 milionë e 100 mijë eurosh, ndërsa në tërësi janë katër faza. Stadiumi do të jetë me standarde evropiane dhe jam shumë i lumtur që ky stadium po ndërtohet në vendin tonë – për shkak të traditës 94 vjeçare dhe emrave të shumtë që kanë dalur nga ky qytet, si Domi, Kozniku – Hasi e shuë të tjerë që kanë dal e do të dalin përsëri. Stadiumi është i qytetit të Gjakovës dhe për të është kompetente Komuna”, vazhdoi ai.
Në fund, njeriu i cili nuk e la vetëm asnjëherë Vëllaznimin, Besnik Gojani theksoi se në rast të rifillimit të kampionatit, klubi gjakovar ka disa opsione për t’i luajtur takimet.
“Në rast se rifillon kampionati, na mundësohet që derisa të bëhet faza e parë të luajmë në këtë stadium, ndërsa kur të fillojnë fazat e ardhshme – e kemi fushën në Shkugëz që është ende e papërfunduar për shkak të disa ngecjeve – ose do të shiqojmë ndopnjë fushë që e kemi më se afërmi në Pejë apo Prizren”, përfundoi ai.










