Lajiq: Nëse Kosova nuk e heq taksën, Serbia do të pësojë dëm afatgjatë

Ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka thënë sot se, në qoftë se Kosova nuk e heq taksën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, dëmi afatgjatë do të jetë shumë më i madh sesa 62.2 milionë euro sa është shkaktuar deri tash.

Lajiq, duke folur për televizionin publik serb, ka tërhequr vërejtjen se dëmi afatgjatë do të jetë madh, për shkakun se të tjerët do të zënë tregun e Kosovës, e të cilin e kishin prodhuesit nga Serbia.

“Në qoftë se sot do të hiqej taksa, një pjesë e prodhuesve nga Serbia do të ktheheshin, por në qoftë se kjo do të vazhdojë, më nuk do të ketë efekt, sepse të tjerët do ta zënë tregun dhe dëmi do të jetë edhe më i madh”, tha Lajiq.

Ai ka përkujtuar se nga bashkësia ndërkombëtare është apeluar te Qeveria e Kosovës që të tërhiqet taksa.